Pajisja ime reagon në mënyrë të dyshimtë

Sulmet malware kanë evoluar dhe janë bërë shumë të sofistikuara me kalimin e viteve. Këto sulme paraqesin kërcënime të ndryshme dhe mund të kenë pasoja serioze në infrastrukturën dhe të dhënat tuaja personale dhe të organizatës.

Sulmet malware vijnë në forma të ndryshme, të tilla si viruse, phishing, ransomware, trojanë dhe rootkits. Disa nga kërcënimet janë: ndalja e papritur e kompjuterëve, vjedhja e të dhënave (gjegjësisht.: kredencialet e llogarive të ndjeshme, informacione financiare, të dhëna për hyrje në llogari bankare), një sulmues që ju shantazhon për të paguar një shpërblim duke marrë kontrollin e pajisjes tuaj, ose duke marrë kontrollin e pajisjes tuaj dhe duke e përdorur atë për të filluar sulme DDoS.

Disa metoda që përdoren zakonisht nga sulmuesit për t'u komprometuar juve dhe pajisjet tuaja duken si aktivitete të rregullta, siç janë:

  • Një e-mail ose një postim në mediat sociale që do t'ju joshin të hapni një dokument të bashkangjitur ose të klikoni në një lidhje.

  • Shtyrja e njerëzve që të shkarkojnë dhe të instalojnë softuer nga një burim i pabesueshëm.

  • Shtytja e dikujt për të futur emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin e tij në një ueb-faqe që është bërë për t'u dukur e legjitime, por nuk është e tillë.

Kjo pjesë e Veglërisë së ndihmës së parë digjitale do t'ju njoftojë me disa hapa themelorë për të kuptuar nëse pajisja juaj ka të ngjarë të jetë e infektuar apo jo.

Nëse mendoni se kompjuteri juaj ose pajisja celulare ka filluar të reagojë në mënyrë të dyshimtë, së pari duhet të mendoni se cilat janë simptomat.

Simptomat që zakonisht mund të interpretohen si aktivitet i dyshimtë i pajisjes, por shpesh nuk janë arsye e mjaftueshme për t'u shqetësuar përfshijnë:

  • Zhurma të klikimit gjatë thirrjeve telefonike
  • Zbrazja e papritur e baterisë
  • Mbinxehja përderisa pajisja nuk është në përdorim
  • Pajisja funksionon ngadalë

Këto simptoma shpesh keqkuptohen si tregues të besueshëm të veprimtarisë shqetësuese të pajisjes. Megjithatë, secila prej tyre e marrë vetë nuk është arsye e mjaftueshme për shqetësim.

Simptomat e besueshme të një pajisje të komprometuar zakonisht janë:

  • Pajisja riniset (ristartohet) shpesh vetvetiu
  • Aplikacionet ndërpriten aksidentalisht, veçanërisht pas veprimit të futjes së të dhënave
  • Përditësimet e sistemit operativ dhe/ose korrigjuesit e sigurisë dështojnë në mënyrë të përsëritur
  • Drita e treguesit të aktivitetit të kamerës është ndezur ndërsa kamera nuk është në përdorim
  • Mesazhe të përsëritura "Blue Screens of Death" (ekranet e kaltra të vdekjes) ose kernel panics (panik e bërthamës).
  • Dritare vezulluese
  • Paralajmërimet e antivirusit